Policia e Kosovës përmes një deklarate ka sqaruar se ‘test’-protesta e djeshme në kryeqytet, e organizuar nga Grupi me kryeministrin në Facebook, në të cilin morën pjesë 500 vetë, nuk ka qenë e paralajmëruar ashtu siç kërkohet në pajtim me ligjin mbi tubimet publike, përfshirë marrjen e lejeve nga autoritetet kompetente dhe njoftimin e policisë.

Në deklaratë thuhet se legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor gjë që nuk ka ndodhur me tubimet/manifestimet e fundit, dhe se Ligji për tubimet publike përcakton se lajmërimi i tubimeve publike duhet të bëhet më së voni 72 orë para se të mbahet tubimi i qetë publik.

Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës paralajmëron se do të ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe vendimeve të institucioneve kompetente për menaxhimin e situatës në kohë pandemie me koronavirus, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, shëndetit publik, si dhe për të respektuar vendimet, masat dhe kufizimet e parapara ndaj pandemisë.

Për shkak të gjendjes së krijuar me COVID-19, Ministria e Shëndetësisë në konsultim me IKSHK-në kanë vendosur disa masa mbrojtëse dhe kufizim të lëvizjes për banorët e Kosovës.

Duke u bazuar në këto vendime, Policia e Kosovës thotë se organizatorët e tubimeve publike duhet që të sigurohen që pjesëmarrësit e tubimeve publike gjatë tërë kohës së tubimit të kenë masat mbrojtëse, mbajnë distancën nga njëri tjetri 2 metra si dhe të kenë të drejtën e daljes sipas kohës së përcaktuar dy herë nga 90 minuta i lejuar nga Ministria e Shëndetësisë në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit.

Policia e Kosovës përmes këtij njoftimi zyrtar, ka për qëllim t’i informojë opinionin publik, që përveç rolit në zbatimin e ligjit, në funksion ka për implementim planin e gatishmërisë dhe reagimit kundër COVID-19, që parasheh masa shtesë në interes të ruajtjes së shëndetit publik dhe parandalimit të përhapjes së pandemisë./ Tv Malisheva

Share.