Kompanitë prodhuese luajnë rol kyç në zhvillimin e ekonomisë së vendit, ndërsa koha e pandemisë ka krijuar mundësi të reja për depërtim të produkteve vendore në tregje ndërkombëtare, e megjithatë përkrahja nga ana e Qeverisë ndaj këtij sektori mbetet shumë e nevojshme.
Këto u thanë mes të tjerash në një forum virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku bashkë me prodhuesit vendas u diskutua mbi gjendjen e sektorit të prodhimit.
Sami Dida, kryeshef ekzekutiv në kompaninë e prodhimit të kabllove Proton Cable, tha se situata e krijuar me pandeminë ka ndikuar shumë në aktivitetin e kësaj ndërmarrjeje, derisa përmendi se në mënyrë zinxhirore janë afektuar pothuajse të gjitha industritë.
Sipas tij, njëri nga problemet më madhore me të cilin janë ballafaquar ka qenë rritja e çmimit të lëndës së parë në një kohë kur shitjet janë në rënie.
Dida theksoi se Qeveria e Kosovës gjithsesi ka një rol për të luajtur në ndihmë ndaj kompanive prodhuese, ku tha se me disa pika shumë të thjeshta siç është përgjysmimi i TVSH-së mund të ndikojë pozitivisht në sektorin e prodhimit duke mundësuar avantazhe konkurruese në krahasim me vendet e tjera.
Tutje, ai u shpreh se megjithëse është mirë që Qeveria është fokusuar në ndihmë ndaj sektorit të bujqësisë dhe teknologjisë informative, pjesët e tjera të industrisë janë lënë mënjanë dhe kjo mund të shkaktojë disbalancime në ekonomi.
Ai gjithashtu foli edhe mbi nevojën për kontrollim të mallrave që hyjnë në Kosovë, ku tha se ekzistojnë mallra jashtë standardit që shiten në tregun tonë dhe konkurojnë në çmim, andaj është e rëndësishme që kjo çështje të adresohet sa më parë.
Kreshnik Jakupaj, përfaqësues nga kompania e prodhimit të letrës higjienike Medruplast theksoi se kjo kompani e ka përballuar pak më lehtë ndikimin e pandemisë meqë kërkesa e madhe për produkte të së njëjtës i ka mundësuar kësaj ndërmarrjeje që të rrisë eksportet.
Megjithatë, sipas tij, mungesa e theksuar e diasporës si dhe sjellja e ndryshuar e konsumatorit për shkak të nevojës së minimizimit të shpenzimeve, dukshëm ka krijuar vështirësi edhe për këtë kompani.
Jakupaj theksoi se shpreson që sa më parë të aprovohet Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, në mënyrë që të ndihmohet ekonomia e vendit. Tutje, ai përmendi edhe nevojën për prioritizim të produkteve vendore sidomos në tenderët shtetërorë.
Kujtim Gjevori, kryeshef ekzekutiv në kompaninë e prodhimit të qeseve Scampa, si dhe njëherësh kryesues i Komitetit të Prodhimit të Odës Amerikane foli mbi mundësitë e sektorit të prodhimit për zgjerim jashtë kufijve, sepse sipas tij kjo periudhë ka krijuar nevojën për rritje të diversifikimit të riskut nga kompanitë e huaja, duke hapur rrugë për krijimin e partneriteteve të mundshme me kompanitë kosovare.
Ai gjithashtu theksoi nevojën për adresim sa më të shpejtë të çështjes së pagesës së TVSH-së për lëndën e parë të blerë brenda vendit, si dhe mungesën e një rregullatori për kontrollimin e vonesave në pagesa.
Gjevori rëndësi të veçantë i dha çështjes së garancionit kreditor te kompanitë prodhuese, ku theksoi se duhet të parashihet deri në 80% garantim i kredive i dedikuar për prodhues, marrë parasysh kontributin e tyre në ekonominë e vendit.
Ai gjithashtu përmendi mundësitë e krijuar nga marrëveshja për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë, derisa tha se është e domosdoshme që aprovimi i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike të bëhet sa më parë, thuhet në një komunikatë për media të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë./TV Malisheva