Profesori universitar, Arben Fetoshi i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Aderimin e tij e bëri të ditur në një konferencë për media kryetari në detyrë i PDK njëherit edhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj prezantoi Fetoshin duke thënë se ai është një figurë e rëndësishme e unitetit të vitit 1998 e që ka qenë dhe nismëtar i bashkimit të Ushtrisë çlirimtarë të Kosovës me LKCK-në.

Hoxhaj ka folur edhe rreth listës së deputetëve të PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit por edhe për koalicionet, duke theksuar se PDK është vetmja shpresë e qytetarëve të vendit

Hoxhaj: Arbeni ka qenë figurë e rëndësishme e unitetit në vitin 1998

“Arbeni ka qenë një figurë e rëndësishme e unitetit në vitin 1998 ka qenë nismëtar i bashkimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me LKCK-në të dy organizata të rëndësishme patriotike. Vjen nga një familje e veçantë patriotike, është nip i Ukshin Hotit një intelektual më të madh që ka pas kombi shqiptarë në shekullin e 20-të. Ardhja e tij në PDK është një ardhje e natyrshme se PDK nuk është një parti e thjesht politike por çdo herë ka qenë dhe mbetët një projekt kombëtar dhe ata që kanë themeluar PDK, e kanë udhëhequr dhe ata që sot janë pjesë e PDK janë njerëz që kanë dalë nga burgjet e okupimit serbë, dhe ne jemi një parti që idetë e themelimit të saj kanë dalë nga burgjet e okupimit serbë, prej shtigjeve të luftës ka kanë ecur ushtarët” tha Hoxhaj.

Ndërsa, Arben Fetoshi tha se ndonëse nuk ishte vendim i lehtë aderimi megjithatë thotë se është vendimi më i drejtë që ka marrë.

Fetoshi: Vendimi për t’iu bashkuar PDK nuk ishte i lehtë

“Vendimi për t’iu bashkuar Partisë Demokratike dhe ekipës së profesor Hoxhaj si kryeministër i ardhshëm i vendit, ndonëse nuk ishte shumë i lehtë jam i sigurt që është vendimi më i drejtë me shpresën që sfida e zgjedhjeve të 14 shkurtit të nis një fazë të re për politikën e vendit për më shumë unitet dhe për më shumë përkushtim ndaj interesave të vendit[…]angazhimet e ardhshme publike kam vendosur t’i fokusoj në sferën më komplekse të komunikimit ku përcaktohen orientimet dhe dinamikat e zhvillimeve shoqërore e mbi këtë bazë adresa më e rëndësishme në skenën politike ka qenë dhe mbetët PDK për shumë arsye”, u shpreh Fetoshi.

Hoxhaj në konferencën për media është pyetur edhe rreth listës së PDK, për cka ka thënë se deri në fund të javës do të përmbyllet lista.

Hoxhaj: Deri në fund të javës do ta përmbyllim listën

“Jemi marrë në mënyrë intensive me listën me të cilën garon PDK në këto zgjedhje dhe krahas kësaj kemi bërë dhe programin të cilin pothuajse e kemi të gatshëm dhe beson që deri në fund të javës do ta përmbyllim listën që do të jetë shumë kualitative që do të ketë personalitetet më të rëndësishme të PDK të UCK por edhe profesorët universitar dhe profesionistët e të gjitha fushave dhe ardhja e Fetoshit është ardhja e tij në një listë për të qenë deputet”, tha Hoxhaj.

Ai tregoi edhe për bisedat për subjektet politike për koalicionet parazgjedhore.

Hoxhaj: PDK është e hapur për bashkëpunim

“Tek çështja e koalicioneve parazgjedhore, ne kemi biseduar me disa parti pulitke dhe qasja jonë është që qasja jonë është që PDK të jetë e hapur për bashkëpunim me çdo subjekt politik por duke ruajtur në mënyrë të mirëfilltë të identitetet të saj. Dhe ne do të bëjmë përpjekje se kushdo që ka interes të bashkëpunoj me PDK-në duhet të kuptojë që jemi parti nacionale, që logoja, fushata, slogani, ekipa jonë dhe programi jonë janë parametrat e një bashkëpunimi të tillë”, u shpreh Hoxhaj.

Ndërsa ai është pyetur edhe për tubimet në koha të pandemisë COVID-19 për çka thotë se po respekton masat antiCOVID.

Hoxhaj: Kudo që kam shkuar kam shkuar me maskë

“Kudo që kam shkuar kam shkuar me maskë. COVID-19 e kam tejkaluar në shtator të këtij vit dhe s’jam prej atyre që e bëjnë publik kur e merr virusin sic kanë bërë. Ne kemi një ekip që është marrë me menaxhimin e hapësirave kudo që ka pas tubime,, normalisht që kemi respektuar dhe do t’i respektojmë sepse për ne është i rëndësishëm shëndeti i qytetarëve sesa ankthi dhe ethet e zgjedhjeve dhe mendoj që këtu jemi treguar të vetëdijshëm. Nëse subjektet tjera politike nuk e bëjnë këtë, këto ia drejtoni atyre”, tha ai.

Ndërkohë ai ka kritikuara edhe qeverinë aktuale për mos reagim shkak i vërshimeve.

Share.