Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit 2020-2024.
Ky program përmban 193 masa, prej të cilave 107 janë legjislative, ndërsa 86 masa zbatuese. Kostoja totale e zbatimit të programit për këtë vit është vlerësuar mbi 11 milionë euro.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Driton Selmani, tha se ky program është dokumenti kryesor strategjik kombëtar për zbatimin e agjendës evropiane.
Selmani: Programi përmban 193 masa, prej tyre 107 masa legjislative, 86 masa zbatuese
“Ai përmban masa afatshkurta legjislative dhe zbatuese dhe objektiva prioritare afatmesme, ato fokusohen në përafrimin e legjislacionit kombëtar me atë të BE-së, zbatimin e saj përmes reformave të politikave të tyre institucionale. Programi përmban 193 masa, prej tyre 107 masa legjislative, 86 masa zbatuese. Kostoja totale e zbatimit të programit për këtë vit është vlerësuar të jetë 11 milionë e 995 mijë e 794 euro, nga të cilat 8 milionë e 183 mijë e 154 nga buxheti shtetëror dhe 3 milionë e 812 mijë e 640 euro nga mbështetja e donatorëve BE dhe donatorët bilateral. Ky dokument nuk ka vakum buxhetor”, tha ai.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik te objekteve te cilat menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, e të cilat preken nga realizimi i projekteve: ndërtimi i Parkut që do të shërbejë për amfiteatrin e fshatit Mushtisht dhe ndërtimi i çerdhes së fëmijëve dhe këndi për të moshuarit ne fshatin Studentçan, komuna e Suharekës.
Para votimit për këtë ka reaguar ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, e cila ka kërkuar që kostoja e shpronësimit të jetë pjesë integrale e kostos së projektit kapital.
Bajrami: Kostoja e shpronësimit të jetë pjesë integrale e kostos së projektit kapital
“Kosotoja e shpronësimit të jetë pjesë integrale e kostos së projektit kapital, për shkak se si Qeveri, si ministri e Financave kemi obligime marramendëse ndaj palëve të treta obligime këto të cilat vijnë pikërisht nga shpronësimi. Andaj ministër në këtë fazë mund të mos ketë implikime buxhetore, por në momentin kur fillon shpronësimi dhe merren vendimet, atëherë ajo do të ketë implikime buxhetore”, tha ajo.
Në arsyetimin e tij, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit ,Blerim Kuci, tha se shpenzimet e shpronësimit do të mbulohen nga Komuna e Suharekës.
Kuçi: Komuna e Suharekës i ka marrë përsipër shpenzimet
“E thash shkurt se nuk do të ketë kosto buxhetore sepse shpenzimet e procedurave dhe shpronësimit dhe vlerësimit do të bëhen nga Komuna e Suharekës, pra Komuna vet i ka marrë shpenzimet mbi vete. Ato do t’i mbulojë komuna e Suharekës”, tha ai.
Në këtë mbledhje i është proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës mendimin lidhur me projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.
Miratimin e kabinetit qeveritar e kanë marrë edhe dy vendime për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik. Vendimi i parë ka të bëjë për shpronësimin e pronës së paluajtshme, e cila preket nga restaurimi dhe konservimi i objektit “Shtabi i UÇK-së në Kosters”, Komuna e Skenderajt.
Ndërsa, vendimi i dytë është për shpronësimin e pronave të paluajtshme private, të cilat preken nga ndërtimi i “Shiritit për rreshtim” për hyrje në Ambasadën amerikane.
Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë 71 269 euro për Komunën e Suharekës për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore elementare në ekonomitë bujqësore në këtë komunë./Tv Malisheva