Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, sot i ka kthyer përgjigje kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani, lidhur me mandatin e deputetit Etem Arifi. Ky komision vlerëson se kjo çështje nuk iu takon atyre që ta trajtojnë dhe i kanë bërë thirrje që të respektohen ligjet dhe Kushtetuta e vendit.

Kryetari i këtij komisioni Driton Selmanaj, tha se kërkesa e kryetares së Kuvendit ishte e pabazuar dhe në kundërshtim me rregulloren e punës së Kuvendit.

Megjithatë, Selmanaj tha se kanë vendosur që t’i kthejnë përgjigje kryetares së Kuvendit, ku i kanë thënë që të respektojë ligjet, Kushtetutën dhe të veprojë në bazë të mandatit që ka.

Selmanaj ka pasur kritika për kryetaren e Kuvendit, bashkëpartiaken e tij, Vjosa Osmani, për kërkesën, që sipas tij nuk ka pasur asnjë referencë në asnjë nen të rregullore.

Selmanaj: I thamë që respekto ligjet, respekto Kushtetutën dhe vepro në bazë të mandatit

“Ne si Komision normalisht që nuk trajtojmë procedura parlamentare çështjet e përfunduara gjyqësore, ato janë çështje të cilat janë me ligje të qarta dhe me Kushtetutë madje shumë qartë dhe si e tillë ne si komision vlerësuam megjithatë t’i japim një përgjigje kryetares së Kuvendit, sepse nuk kishim obligim. Nuk na ka ardhur kërkesa nga kryesia e Kuvendit por nga kryetarja e Kuvendit, megjithatë ne i dhamë një përgjigje ku i thamë që respekto ligjet, respekto Kushtetutën dhe vepro në bazë të mandatit që ju e keni. Në anën tjetër i bëmë thirrje jo vetëm asaj po të gjitha palëve të interesuara që adresimet që do t’i bëjnë për komisionin parlamentar për Legjislacion të kenë referenca ato adresime qoftë në rregulloren e punës së Kuvendit ose rregulla tjera të cilat janë të brendshme brenda Kuvendit, por assesi të mos bëjnë kërkesa të pabazuara”, tha ai.

I pyetur se a duhet t’i merret mandati deputetit Etem Arifaj, ai tha se këtë çështje e trajtojnë shumë qartë Kushtetuta dhe ligji.

Selmanaj: Është shumë e qartë edhe Kushtetuta edhe ligji

“Është shumë e qartë edhe Kushtetuta edhe ligji, ndërkohë kemi edhe praktika të mëhershme. Praktikat e mëhershme parlamentare janë që në momentin kur ka aktgjykim të formës së prerë, them aktgjykim dënues për mbi një deputet i cili dënimi është më tepër se një vit atëherë janë procedurat që kryetarja e Kuvendit komunikon me presidentin, presidenti më pas më KQZ-në, KQZ decertifikon kandidatin e sjell kandidatin tjetër dhe kështu. Çështjet të cilat janë të rregulluara dhe të qarta nuk janë kompetencë e komisionit tonë. Çka po themi ne, po themi që respektoni ligjet, rregulloret, Kushtetutën, por nuk keni nevojë për interpretime shtesë”, tha ai.

Sa i përket pjesëmarrjes së deputetit Arifi në seanca të Kuvendit dhe votimit të tij, Selmanaj tha se një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese në rastin kur Behgjet Pacolli ishte zgjedhur president, përkundër që e ka kontestuar mënyrën e zgjedhjes së tij megjithatë ia ka njohur statusin e ish-presidentit dhe nuk i ka hedhur poshtë vendimet apo veprimet që i ka ndërmarrë gjatë asaj faze. Në këtë kontekst tha se mund të trajtohet edhe rasti i deputetit Arifi.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Artan Abrashi, tha se çështja është shumë e qartë në rastin kur kanë të bëjnë me vendime të formës së prerë dhe sipas tij, nuk i takon komisionit të bëjë interpretime të diçkaje që është shumë e qartë.

Abrashi: Vendimi është i zbatueshëm dhe kryetarja e Kuvendit duhet ta ketë parasysh këtë gjë

“Ka rekomanduar edhe trupave ndihmës të Kuvendit apo institucioneve që merren me këtë çështje që t’i kenë parasysh edhe legjislacionin në fuqi, respektivisht nenin 70 të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjin mbi zgjedhjet për deputetët…Nuk ka çka të interpretohet këtu apo të diskutohet veçse vendimi është i zbatueshëm dhe kryetarja e Kuvendit duhet ta ketë parasysh këtë gjë”, tha ai.

Në këtë mbledhje të komisionit është bërë edhe shqyrtimi i kërkesës së deputetit Behgjet Pacolli për interpretim të detyrave dhe funksionit të deputetit si dhe pengimit në kryerjen e detyrave kushtetuese.

Lidhur me këtë kryetari i Komisionit Driton Selmanaj, tha se secilit deputet e edhe deputetit Behgjet Pacolli duhet t’i mundësohet ushtrimi i mandatit të tij dhe veprimtaria e tij.

Ai tha se këtë e thotë Kushtetuta, ligji për deputet dhe rregullorja e punës së Kuvendit.

Ai tha se institucionet shtetërore duhet t’ia mundësojnë ushtrimin e punës së deputetëve.

Selmanaj: Janë publike ato se si është tentuar që z.Pacolli të pengohet

“Janë publike ato se si është tentuar që z.Pacolli të pengohet. Ne nuk po paragjykojmë përsëri po themi, ne nuk merremi me situatën nëse IKSHPK-ja duhet të shkojë dhe të bëjë analizë në aeroport sapo të vije dhe ta diagnostikoj eventualisht. Por, ajo çka për neve është e rëndësishme që secili institucion shtetëror duhet të bëjë çmos që deputeti të mos ndalohet…Nuk guxojmë të bëjmë përjashtime, mandati i deputetit është i lirë, nuk i nënshtrohet asnjë mandati kushtetues dhe çdo institucion këtij mandati, nuk guxon askush as të merr masa as veprime, e aq më pak deklarata publike nga politika për të provuar që të arrestohet një deputet, këto janë skandaloze. Këto mund të ndodhin vetëm në regjime të tjera, po jo në regjime demokratike”, tha Selmanaj.

Në anën tjetër, deputeti i LVV-së Artan Abrashi, tha se nuk e kontestojnë imunitetin funksional të deputetit, porse si komision nuk kanë mandat të shqyrtojnë imunitetin shëndetësor të deputetëve.

Abrashi: Kjo çështje iu takon organeve shëndetësore

Si LVV ne e kontestojmë imunitetin funksional të deputetit, pra këtë e thamë edhe në komision, porse mendojmë që Komisioni për Legjislacion dhe Mandate, nuk ka mandat të shqyrtojë imunitetin shëndetësor të deputetëve. Kjo çështje iu takon organeve shëndetësore, respektivisht Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së. Prandaj, ne kemi menduar që kjo çështje nuk duhet të trajtohet në komisionin për mandate sepse çdo gjë është e qartë dhe se rekomandimet që rrjedhin nga institucionet shëndetësore në lidhur me situatat pandemike janë të qarta dhe janë obligative për të gjithë. Ndonëse Komisioni me shumicë votash kërkoi që deputeti të mos pengohet në ushtrimin e detyrave zyrtare edhe pse nuk ka pasur asnjë pengesë në ushtrimin e detyrës zyrtare përpos disa masave obligative që vlejnë ndaj të gjithëve për çështje të pandemisë”, tha ai.

Abrashi ka komentuar edhe sjelljen e deputetit Behgjet Pagolli me kërkesën për të mos u futur në karantinë, për çka tha se nuk i duket serioze derisa shumica e qytetarëve iu përmbahen rekomandimeve./Tv Malisheva

Share.