Ministri i drejtësisë, Selim Selimi ka kërkuar që të rikthehen ekspertët e dorëhequr nga ekipi përgatitor për procesin e vettingut në drejtësi. Derisa ka folur për arsyet e dorëheqjes të shoqërisë civile, ai tha se për të qenë korrekt do ta mbajnë të hapur pikën ku grupi i ekspertëve është i mirëseardhur të marrë pjesë në procesin e vettingut.
Për këtë proces ministri i Drejtësisë të premten tha se kanë vendosur të krijojnë një proces konsultativ me gjithë përfaqësuesit e drejtësisë, përfshirë edhe shoqërinë civile.
Selimi: Të gjithë janë për që të jenë pjesë e dizajnimit të sistemit të llogaridhënies
“Gjatë kësaj kohe me zyrën e kryeministrit respektivisht, me zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, Driton Selmanaj prej zyrës të cilës tash unë po vi kemi konsultuar Këshillin Prokurorial të Kosovës, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, kemi konsultuar Gjykatën Supreme, Prokurorinë e Shtetit, Gjykatën Themelore, por me më rëndësi kemi konsultuar edhe partnerët tanë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuara, Gjermaninë, Italinë, misionin e OSBE-së dhe përfaqësues tjerë nga shoqëria civile. Kemi arritur në një përfundim që të gjithë janë për që të jenë pjesë e një dizajnimi të sistemit të llogaridhënies, duke përfshirë edhe vettingun”, u shpreh ai.
Selimi ka bërë të ditur që do të presin rikthimin ekspertëve të dorëhequr nga ekipi përgatitor për procesin e vettingut në drejtësi.
Selimi: Ne ende do të mbajmë hapur pikën ku ekspertët janë të mirëseardhur të jenë pjesë
“Jemi dakorduar që pas një kohe ne si ministri të dërgojmë termat e referencës se të dërgojmë vizionin tonë për gjithëpërfshirje, vizionin tonë për përfaqësim, vizionin tonë për inkluzivitet. Pasi që kemi dërguar propozimin për përfaqësuesit nga institucionet dhe termat e referencës të cilat i përmbajnë elementet kyçe të termave të komisionit të kaluar, me një deklaratë publike ky grup i ekspertëve ka dhënë dorëheqje. Ka dhënë dorëheqje duke i cekur disa prej arsyeve se pse ata nuk dëshirojnë të jenë pjesë e këtij procesi. Për të qenë korrekt dhe për të respektuar parimin mbi të cilin ne kemi filluar që të mbledhim grupin gjithëpërfshirës në vendimin që do i propozohet sot qeverisë për aprovim, ne ende do ta mbajmë të hapur pikën ku grupi i ekspertëve është i mirëseardhur të marrë pjesë në këtë proces të dizajnimit të llogaridhënies ku përfshihet edhe vettingu”, ka deklaruar ministri Selimi.
Sipas tij, deklarata e tyre publike ka qenë politike. Për takimin që kanë mbajtur me grupin e ekspertëve, Selimi tha se janë dakorduar që t’i dërgojnë grupin e tyre për përfaqësim. Mes tjerash, Selimi tha se vend do të ketë edhe për grupin e ekspertëve nga Shoqëria Civile.
Selimi: Ne kemi diskutuar me gjithë hisedarët
“Pjesëmarrës të grupit ne kemi ftuar, kemi diskutuar me hisedarët si në vijim. Ne mendojmë që ky grup duhet të përbëhet nga një përfaqësues nga Zyra e kryeministrit, një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, një përfaqësues nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, një përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, një përfaqësues nga Agjencia kundër Korrupsion, një përfaqësues nga Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Intelegjencë, Oda e Avokatëve të Kosovës. Përfaqësuesit përfaqësues nga grupi i ekspertëve sipas pikës 1 të vendimit 0804 të datës 28.02.2020”, ka shtuar ai.
Selimi ka bërë të ditur që me këtë vendim do të ftohen në rolin këshillëdhënës përfaqësues nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasada e Gjermanisë, Italisë, Francës, përfaqësues tjerë nga shoqëria civile.
Dy ditë më parë, shtatë ekspertë nga shoqëria civile janë dorëhequr nga grupi punues për procesin e vettingut. Sipas tyre, dorëheqja vjen pasi sistemi i drejtësisë në Kosovë është duke devijuar përmes qasjes së re, ku pjesëmarrja apo kontributi i grupit të ekspertëve ka humbur rëndësinë./Tv Malisheva