Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës është e përqendruar në luftën kundër qeverisë dhe jo asaj me pandeminë Covid-19.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Selimi tha se LDK e ka mendjen të një ‘korona-koalicion’ në bashkëpunim me Thaçin dhe disa subjekte të tjera dhe jo të përballja me koronavirusin.
Deputeti Selimi tha se LDK po synon të pamundësojë ndihmën që Qeveria e Kosovës po u ofron qytetarëve në kohën e përballjes me përhapjen e Covid-19.
Selimi: LDK e ka në mendje një ‘korona-koalicion’ në bashkëpunim me Thaçin
“LDK para se të ketë mendjen te fati i qytetarëve dhe i Kosovës e ka mendjen të një bashkëpunim me Thaçin për të krijuar në forma kundër kushtetuese qeverisje të reja, koalicione të reja që i ka proklamuar së fundmi. LDK po duket që është e përqendruar më shumë ta luftojë qeverinë se sa koronavirusin, në mend e ka një korona-koalicion që po e paramendon ta bëjë në bashkëpunim me Thaçin dhe disa subjekte të tjera”, tha ai.
Selimi tha se nismat legjislative që ishin temë diskutimi në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit, nuk morën epilog për shkak të dallimeve në mes të subjekteve politike dhe mos pajtimeve të grupeve më të mëdha parlamentare që t’i procedojnë tutje.
Ai tha se nënkryetari i LDK-së dhe shefi i deputetëve të kësaj partie, lëshuan mbledhjen duke krijuar një atmosferë jo bashkëpunuese në mes tyre dhe grupeve të tjera.
Ndërkohë shtoi se Vetëvendosje ishte e interesuar për një pajtueshmëri dhe përgjegjshmëri sa u përket tema që trajtojnë projektligjet që kanë të bëjnë me ballafaqimin me Covid-19.
Selimi: LDK është e përqendruar në luftën kundër qeverisë
“Këto të tri projektligje kan ë të bëjnë me trajtimin e gjendjes në Kosovë, me përballimin e qytetarëve dhe qeverisë ndaj Covid-19. Ne jemi të shqetësuar për gjendjen e qytetarëve dhe vendit, sikur e gjithë bota, sidomos shtetet që janë të përfshira me këtë problem, por duket që LDK nuk është e shqetësuar as për qytetarët, as për luftën kundër koronavirusit, është e përqendruar në luftën kundër qeverisë”, tha ai.
Selimi shtoi se proceduralisht janë plotësuar kushtet që këto projektligje të procedohen në seancë të Kuvendit, ani pse sipas tij për materien e tyre ka mendime të ndryshme.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani kishte proceduar nismën legjislative për Projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Socid-19 në territorin e Kosovës./Tv Malisheva