Edita Tahiri që dikur drejtonte bisedimet me Serbinë në Bruksel, thotë se parimi i reciprocitetit ekziston në të gjitha marrëveshjet e Kosovës me Serbinë në kohën sa ajo ka qenë kryenegociatore. Sipas saj, Kurti është dashur të respektojë reciprocitetin e përfshirë në ato marrëveshje, dhe në atë mënyrë nuk do të cenohej partneriteti me aleatët ndërkombëtarë. Në një intervistë për KosovaPress, ish-ministrja për dialog thotë se Vetëvendosjes i mungon kultura e bashkëpunimit dhe se nuk ka aftësi diplomatike për të ruajtur marrëdhëniet ndërkombëtare.
Duke folur për rrëzimin e qeverisë dhe përpjekjen e partive politike për të formuar një qeveri të re, Tahiri thotë se duhet pritur dhe respektuar në plotëni vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Tahiri thotë se zhvillime të tilla politike nuk është dashur të ndodhin në kohë të pandemisë, ndërkohë shton se është treguar mungesë e përvojës në qeverisje dhe se Vetëvendosje nuk ka traditë bashkëpunimi.
Tahiri: Vetëvendosjes i mungon kultura e bashkëpunimit e partneritetit
“Çdo qeveri i meriton 100 ditë për t’u dëshmuar, mirëpo këtu u tregua mungesë e përvojës në qeverisje dhe partia që i fitoi zgjedhjet, Vetëvendosje nuk ka pasur traditë të bashkëpunimit me partitë e tjera sepse kanë qenë vazhdimisht të pozicionuar kundër çdo gjëje, dhe kjo iu hakmor Vetëvendosjes kur erdhën për të qeverisur bashkë me të tjerët sepse u ka munguar kultura e bashkëpunimit ndërqeveritar dhe u ka munguar kultura e partneritetit, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në planin ndërkombëtar. Ata ishin të koncentruar gjithmonë të fushatat e veta, të grumbullimi i votave, por ja që në demokraci nuk mjafton vetëm të fitosh votat, por pastaj duhet të kesh aftësi për të qeverisur dhe u pa që nuk e kanë, besoj do ta mësojnë për të ardhmen”, thotë Tahiri.
Ish-kryenegociatorja në bisedimet me Serbinë thotë se Vetëvendosje nuk ka treguar aftësi diplomatike për të kultivuar dhe forcuar marrëdhëniet ndërkombëtare.
Sipas saj, platformat e mëhershme të këtij subjekti, u janë bërë pastaj pengesë për qeverisje efektive.
Tahiri: Qeveria Kurti nuk ka aftësi diplomatike për të kultivuar marrëdhëniet ndërkombëtare
“Kanë qenë kundër dialogut të Brukselit dhe pastaj nuk kanë mundur të thirren në rezultatet e Brukselit, por në politikë gjërat duhet të shkojnë me një mençuri politike dhe duhet të dihet pra një lloj notimi në ujërat ndërkombëtar, kjo qeveri nuk po shoh që ka aftësi diplomatike për të kultivuar dhe forcuar marrëdhëniet ndërkombëtarë. Janë larg, e di që nuk kanë qenë kurrë në qeveri dhe i kuptoj por ato platformat e përparshme që i kanë pasur për vota, tani ju kanë kthyer në pengesa për të bërë qeverisje efektive”, thotë ajo.
Ish-ministrja për dialog thotë se qeveria është dashur të thirret në çështjet e reciprocitetit në marrëveshjet e Brukselit që janë nënshkruar në kohën sa ajo e ka udhëhequr këtë proces.
Tahiri: Parimi i reciprocitetit ekziston në të gjitha marrëveshjet e Brukselit
“Të çështja e reciprocitetit, ky parim ekziston në të gjitha marrëveshjet sa kam qenë unë kryenegociatore bashkë me dy qeveritë dhe Kurti nuk do të binte ndesh me faktorin ndërkombëtar as me Amerikën, po t’u thoshte të respektohet reciprociteti i përfshirë në marrëveshjet, sepse janë marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk do të cenohej partneriteti me amerikanët”, thotë Tahiri.
Ajo flet edhe për 1 mijë testet që Serbia i dërgojë në Kosovë për t’u marrë mostrat personave që dyshohen të jenë të prekur me koronavirus, për çka thotë se Vetëvendosje nuk është dashur të pranojë diçka të tillë.
Sipas saj, kur është fjala për çështje humanitare nuk duhet të shikohen implikimet politike, por thotë se Vetëvendosje dikur ka kundërshtuar ashpër çdo gjë që vinte nga Serbia.
Tahiri: Vetëvendosje dikur rrokulliste kamionët e Serbisë, tani pranon ndihmën e tyre
“Nëse nisemi nga doktrina e Vetëvendosjes dhe një parulle e njohur e tyre, prodhime vendore, vet fjalën e kanë pasur që mos të merret asgjë nga Serbia, madje një kohë sa unë isha kryenegociatore i rrokullisnin kamionët e Serbisë, erdhën në pozitë prej Serbisë me i marrë këto. Kjo më tepër çështje e tyre për të parë që nuk është mirë të përdoret makiavelizmi në formën ekstreme dhe pastaj të të kthehet boomerang, po të isha unë në vendin e tyre kurrsesi nuk kisha pranuar për shkak se kanë pasur parullën prodhime vendore, pra ranë në kundërshtim me njeri-tjetrin. Kur janë çështjet humanitare, jam e mendimit që nuk duhet të politizohen gjërat”, thotë ajo.
Ish kryengociatorja Edita Tahiri thotë se jo stabiliteti politik në Kosovë ka qenë i panevojshëm në këtë kohë të përballjes me pandeminë Covid-19.
Ajo thotë se vëmendja ka shkuar në çështjet e pushtetit duke u larguar nga shëndeti i qytetarëve në luftën kundër koronavirusit./Tv Malisheva