Është tensionuar situata në protestën që po mbahet kundër Lulzim Bashës. Dy protestues janë lënduar dhe gjakosur në kokë, ndërkohë që po hidhet edhe sasi e madhe e gazit lotsjellës në drejtim të tyre. Në protestën e ftuar nga vet ai, Sali Berisha i ka bërë thirrje Bashës që të largojë kriminelët nga selia.

Përmes një komunikate për media, Partia Demokratike ka kërkuar nga Policia e Shtetit që të ndërhyjë në mënyrë që të shmangen viktimat.

Vetëm pak pas kësaj thirrjeje, menjëherë në oborrin e Partisë Demokratike janë parë forcat e policisë të cilët do të tentojnë të marrin situatën nën kontroll.

Ish-kryeministri Sali Berisha tha se protestuesit po sulmohen nga ballkoni i zyrës së Lulzim Bashës.

“Bandat e Lulzim Bashës nga ballkoni i zyrës së tij, nga ballkoni i zyrës së tij, Lulzim Basha, hiç dorë nga dhuna, është protestë paqësore. Hiç dorë nga dhuna, largoi vrasësit, kriminelët nga shtëpia e lirisë”, u shpreh ai.

Ai ka insistuar se kjo protestë e organizuar është me leje dhe paqësore.

“Ku për të ndërhyrë? Protestën paqësore nuk ndërhyn dot policia se ndërhyrja pastaj do të ishte, një protestë paqësore me leje nuk ndërhyhet kurrë. Ne jemi në shtëpinë tonë. Në qoftë se policia me urdhër të Edi Ramës mendon ta shtyp protestën e lirisë, pastaj ta provoj”, ka shtuar ai.

Protestuesit demokratë po tentojnë të ngjiten në katin e dytë të partisë, por që ata po ndalohen nga përdorimi i gazit lotsjellës, kështu po bien nga shkallët metalike.

Ndërsa Partia Demokratike thotë se “Sali Berisha po rrezikon jetën e dhjetëra demokratëve me aktet e dhunës së sotme! Me një akt të paprecedentë, mercenarët nën urdhrat e tij, po sulmojnë godinën e Partisë Demokratike, duke vënë në rrezik real jetën e drejtuesve më të lartë të Partisë Demokratike në qendër dhe në rrethe, si dhe të dhjetëra demokratëve të tjerë. Gjakderdhja duhet ndalur nga institucionet ligjzbatuese!”./TV Malisheva

Share.