Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka bërë sot homazhe tek memoriali “Heroinat” në Prishtinë. Ai tha se nuk do të ketë faktor që do të mund të amnistojë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë.
“Jemi duke i kaluar ditët, javët dje muajt e përmasave të gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë, gjenocid ky i konfirmuar dhe i njohur botërisht. Ky monument dhe ky nderim sot i bëjmë është një nderim për femrat shqiptare, për heroinat tona që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës. Kujtojmë dhunimet e mbi 20 mijë grave, kështu që ky nderim është shtetëror për përdhunimet që kanë ndodhur nga shteti i Serbisë”, tha ai.
Kreu i shtetit tha se për fat të keq ende nuk ka drejtësi as lokale as ndërkombëtare për krimet dhe gjenocidin.
“Kjo heshtje ndërkombëtare është një heshtje që në një formë apo tjetrën e ka amnistuar gjenocidin dhe spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë. Por nuk ka kohë dhe nuk do të ketë faktor që do të mund të amnistojë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Nuk ka paqe pa drejtësi”, tha ai./ Tv Malisheva