Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur për vizitën e paralajmëruar të përfaqësuesit të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për çka tha se ende zyra e presidentit për këtë vizitë nuk është informuar.
Thaçi thekson që fillimisht do shihen prioritetet e Lajçak dhe më pas do t’i përgjigjeshin vizitës së tij.
Shefi i shtetit thotë se tani nuk është koha e matjes së pulseve, por e njohjes reciproke ndërmjet të dy shteteve.
Thaçi: Nuk është koha për matje të pulseve, por për vendimmarrje historike që sjell rezultat konkret
“Ende zyrtarisht nuk jam informuar , por do shohim agjendën dhe prioritetet të cilat i ka në përkushtimin e tij përfaqësuesi i Bashkimit Evropian pastaj natyrisht që do përgjigjem si president i vendit, si zyre e presidentit. Por, për neve është me rëndësi që përfaqësuesit ndërkombëtar që merren me këtë çështje ta trajtojnë Kosovën si vend i pavarur dhe sovran. Çdo qasje tjetër është e dështuar kushdo që të jetë ai. Ne kemi besim të plotë në qasjen e SHBA-ve që ka qenë prej vendeve që ka kontribuar për liri dhe pavarësinë e Kosovës dhe tash në proceset e ardhshme dhe besoj që lidershipi i presidentit të SHBA-ve, Trump dhe dinamika, energjia e ambasadorit Grenell do jenë efektive dhe do shënojnë rezultate konkret. Nuk është koha më për matje të pulseve apo trajtime seminarike të çështjes së të Kosovës për njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë por është për vendimmarrje historike që sjell rezultat konkret”, theksoi ai.
Lidhur me atë se kush do ta udhëheqë dialogun me Serbinë, presidenti i Kosovës theksoi se gjithçka është e përcaktuar në Kushtetutë presidenti i vendit e përfaqëson vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.
Por që thekson se dialogu do udhëhiqet nga përfaqësuesit legjitim të Kosovës, dhe nuk do jenë në garë me njëri tjetrin por vetëm do e plotësojnë njëri-tjetrin.
Thaçi: Gjithçka është e përcaktuar në Kushtetutë
“Do ta udhëheqin përfaqësuesit legjitim të qytetarëve të Kosovës, nuk jemi në garë me njëri tjetrin do e plotësojmë njëri tjetrin të bashkuar do të përballemi me vështirësi e pengesa të mjaftueshme, prandaj do ketë energji pozitive, përkushtim të përbashkët dhe rezultate të përbashkëta, nuk jemi në garë me njëri tjetrin. Presidenti i vendit e përfaqëson vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar gjithçka është e përcaktuar me Kushtetutën dhe asnjë organ nuk qëndron mbi Kushtetutën. Autoritetet dhe kompetencat janë të qarta dhe të pastra si loti”, tha Thaçi.
Presidenti i Kosovës po ashtu tha se pozitë dhe opozitë duhet të jenë të bashkuar dhe se çdo thirrje për unitet ai do e mirëpres.
Thaçi: Pozitë dhe opozitë duhet të jenë të bashkuar
“Kosova duhet të vazhdoj sa më e bashkuar pozitë dhe opozitë interesi i shtetit është i të gjithëve, të gjithë kanë investuar për këtë ditë që e gëzojmë ne sot lirinë dhe pavarësinë, askush nuk do mund ta individualizoj apo personalizoj këtë proces as presidenti, as kryeministri asnjë lider politik. Prandaj, çdo thirrje për unitet dhe konsualitet unë e mirëpres”, u shpreh kreu i vendit.
Kreu i shtetit këto komente i bëri pas homazheve që ka bërë tek shtatorja e Zahir Pajazitit në sheshin “Nënë Tereza me rastin e 21 vjetorit të çlirimit të Prishtinës.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është raportuar se gjatë ditës së hënë pritet që ta vizitojë Kosovën. /Tv Malisheva