Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se nuk do të takojë sot emisarin evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak nëse ky i fundit nuk ka propozim konkret për Kosovën.
Diplomati sllovak pasditen e sotme vjen në Kosovë, në vizitën e tij të parë pas marrjes së detyrës dhe një ditë pasi emisari amerikan Richard Grenell paralajmëroi vazhdimin e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor në Uashington.
Në një konferencë për media, presidenti Thaçi u shpreh se Lajçak duhet të jetë konkret dhe jo të shkohet në procese të pafundme, pasi që vendi ka humbur kohë tash e 20 vjet.
Thaçi: Nëse Lajçak ka diçka konkrete, natyrisht nuk ka arsye për të mos u takuar
“Në momentin që eventualisht zbret në orët e mëvonshme ekipet tona do të komunikojnë me njëra-tjetrën. Nëse ka diçka konkrete, jo vetëm për të hulumtuar terren, natyrisht nuk ka arsye për të mos u takuar. Nëse është vetëm për të hulumtuar terren, Kosova është duke hulumtuar tash e 20 vjet. Ne kemi nevojë për hapa konkretë. Lajçak duhet të jetë i qartë në dy gjëra – qëndrimi për liberalizimin e vizave, çfarë qëndrimi kanë shtetet anëtare. Këtë e meritojnë më shumë shtetet anëtare. Më tepër se ligjëratat për proceset e pafundme që mund të ndodhin. Në anën tjetër si do të trajtojë Kosovën. Nëse e trajton si shtet i pavarur dhe sovran, procesi do të jetë më i lehtë. Nëse jo, atëherë është një mision jo i suksesshëm nga ana e tij”, tha ai. / Tv Malisheva