Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci thotë se presidenti, Hashim Thaçi ka bërë shkelje të trefishtë të Kushtetutës në rastin e thirrjes së tij për mosbindje qytetare, ndaj vendimit të qeverisë për kufizimin e lëvizjes.
Nagavci e cila dorëzoi dje komentet e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjykatën Kushtetuese, thotë për KosovaPress se i pari i shtetit ka bërë këto shkelje të rënda në kohë pandemie.
Nagavci: Presidenti Hashim Thaçi ka bërë shkelje të trefishtë të Kushtetutës
“Ne jemi të bindur se presidenti Thaçi ka bërë shkelje të trefishtë të Kushtetutës në deklaratat e tij të datës 23 mars 2020. Në atë mbrëmje kur ai doli dhe bëri thirrje për mosbindje qytetare. Ajo çfarë ka bërë presidenti Thaçi ka qenë një veprim i cili ka ndërmarrë jashtë çdo mandate të tij, mandej edhe në kundërshtim të shëndetit publik dhe interes të përgjithshëm në kohën e pandemisë ndaj masave që i kishte vendosur qeveria e Kosovës”, thotë ajo.
Anëtarja e kryesisë së VV-së, thotë se janë në pritje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për këtë kërkesë, por edhe për vlerësimin e kushtetutshmërisë për dekretin e presidentit, Thaçi.
Nagavci: Janë dy kërkesa të ndara për presidentin
“Janë dy kërkesa të ndara në lidhje me deklaratat e presidentit për mosbindje qytetare dhe është kërkesa tjetër që ka të bëj me vlerësimin e kushtetutshmërisë për dekreti ne presidentit. Janë dy raste të ndara, ne besojmë që e drejta është në anën tonë. Kemi paraqitur të gjitha argumentet juridike, pa dashur të paragjykojë Gjykatën Kushtetuese presim vendimin final”, thotë ajo.
Lëvizja Vetëvendosje dje ka dërguar komentet e tyre si përgjigje ndaj komenteve të Presidentit Thaçi për këtë rast në Gjykatën Kushtetuese./Tv Malisheva