Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen shprehu mbështetjen e plotë për hapjen zyrtare të negociatave të pranimit të Maqedonisë Veriore në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur.

Ajo në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Zoran Zaev sot në Shkup, ka thënë se Maqedonia Veriore ka arritur një avancim të jashtëzakonshëm dhe që tani BE-ja e ka radhën.

“Është e vërtetë se e ardhmja e Maqedonisë Veriore është në BE dhe ju duam afër nesh. Komisioni Evropian dhe unë vetë, qëndrojmë në atë se ju keni arritur një avancim të jashtëzakonshëm dhe duam të jem e qartë se tani BE e ka radhën”, deklaroi Ursula von der Leyen.

Presidentja e KE-së përshëndeti reformat që vendi po i zbaton, veçanërisht, siç tha ajo, në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se është e rëndësishme të vazhdohet ai përparim, ku shprehu besimin se do kjo do të shpërblehet.

Vizita e shefes së KE-së në rajon vjen vetëm një javë para Samitit BE – Ballkanit Perëndimor, e cila do të mbahet më 6 tetor në Slloveni me udhëheqësit rajonalë. Nga Bashkimi Evropian insistojnë që ky samit nuk do të jetë “samit i zgjerimit”, por mundësi për të diskutuar qëndrimin e BE-së dhe rajonit.

Pas Ursula von der Leyen, nesër në Shkup do të arrijë komisionari i Zgjerimit të BE-së Oliver Varhelyi, i cili javën e kaluar ishte në Bullgari ku diskutoi kapërcimin e bllokadës bullgare për fillimin e negociatave me Maqedoninë Veriore në BE. /TV Malisheva

Share.