Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, kujtoi masakrën në “Lagjen e Trimave” në Prizren ku u vranë 27 civilë shqiptarë para 21 vitesh.

Veseli shkroi se ajo që ndodhi atë ditë ishte hakmarrje e egër e forcave serbe ndaj një lagjeje e cila ishte baza e UÇK-së gjatë luftës çlirimtare.

Kreu i PDK-së tha se nuk do të ndalet në angazhimin e tij për të themeluar Tribunalin për dënimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Postimi i plotë i Veselit:

26 Maji i vitit 1999, u kthye në tragjedi për popullin tonë në “Lagjen e Trimave” të Prizrenit. Forcat serbe vranë e masakruan 27 civilë shqiptarë të cilët kishin vendosur të mos largohen nga shtëpitë e tyre kur mijëra të tjerë po dëboheshin drejt Shqipërisë.

Vrasja e tyre 21 vite më parë ishte hakmarrje e egër e forcave serbe ndaj kësaj lagje dhe fshatrave të Vërrinit e Opojës të cilët ishin baza të UÇK-së gjatë luftës çlirimtare kundër Serbisë. Djemtë dhe vajzat e kësaj lagje ishin luftëtarët më të mirë e trima të UÇK-së.

Unë nuk do të ndalem në angazhimin tim për të themeluar Tribunalin për dënimin e krimeve serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ne nuk duhet të pushojmë së punuari për të vënë para drejtësisë të gjithë kriminelët serb që masakruan qytetarët tanë të pafajshëm./ Tv Malisheva

Share.