Lëvizja Vetëvendosje ka shpalosur një sondazh, ku pretendon se në zgjedhjet e 29 nëntorit në Podujevë, kandidati i tyre Shpejtim Bulliqi do të fitojë me 46.8 për qind të votave.
Përmes një konference për medie, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi tha ky sondazh është realizuar prej datës 12 deri 15 nëntor nga “UBO Consulting”.
Pavarësisht këtyre të dhënave, Bislimi u shpreh optimist se zgjedhjet e së dielës në Podujevë mund të ketë ndryshime dhe të fitojnë pa balotazh.
Bislimi: 46.8 për qind të votave do të shkojnë për Shpejtim Bulliqin
“Nëse e marrim vetëm votën e deklaruar, jo ata që kanë thënë nuk do të votojë, atëherë shpërndarja e anketës të 15 nëntorit do të jetë si vijon. Është 46.8 për qind që do të shkojnë për Shpejtim Bulliqin dhe 42 për qind për kandidatin e LDK-së dhe ai i PDK-së me 11.2 për qind. Rezultatet siç e thash janë të 15 nëntorit, pasi ne sot besojmë që situata është dukshëm më e mirë falë edhe angazhimit maksimal të profesorit Bulliqi, kryesisë dhe grupit parlamentar. Kjo tregon se brenda marzhës së gabimit është shumë e mundur që zgjedhja e kryetarit të Podujevës do të përfundojë të dielën dhe nuk do të ketë fare nevojë për balotazh”, u shpreh ai.
Duke prezantuar sondazhin Bislimi tha se pjesëmarrja e lartë në votime është një indikator shtesë për fitoren e Bulliqit.
Bislimi: 88.8 për qind janë shprehur sigurt se do të marrin pjesë në votime
“88,8 për qind janë shprehur sigurt se do të marrin pjesë në votime dhe 8.8 ndoshta do të votojnë. Kjo tregon numrin e atyre që nuk do të dalin në zgjedhje e që është shumë i vogël apo nën tre për qind. Kjo tregon se qytetarët e Podujevës e kanë kuptuar sa i rëndësishëm është votimi i ditës së diel dhe sa i rëndësishëm është vota e secilit prej tyre në rezultatin final”, tha ai.
I pyetur për postin e presidentit, ish-ministri i Financave tha se kjo është njëra ndër arsyet pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
Bislimi: Tash për tash LVV-ja nuk është marrë me gjetjen e një kandidati për president
“Tash cila prej këtyre do të bëhet shkaktar i zgjedhjeve nuk e di, por konsensusi që ekziston është e nuk mund të ketë president me qeverisje të vjetër dhe legjislaturë të vjetër. Ne e kemi bërë të qartë se vetëm e atëherë kur dihet legjislatura e re mund të flasim për emrin e presidentit. Tash për tash LVV-ja nuk është marrë me gjetjen e një kandidati, apo rekomandimin e një kandidati, kështu që në këtë drejtim nuk mund të ketë diçka konkrete nga ana jonë. Por zgjedhjet janë të paevitueshme”, tha ai.
Ndryshe, dje ka filluar fushata zgjedhore për të parin e komunës së Podujevës, e cila do të zgjasë deri të premten dhe në garë janë përveç Shpejtim Bulliqit nga LVV-ja janë edhe Nexhmi Rudari nga LDK dhe Naim Fetahu i PDK-së. /TV Malisheva