Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se në rastin më të mirë negociatat me Prishtinën do të vazhdojnë në muajin dhjetor.

“Vështirë se mund të ketë vazhdim të dialogut para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, të cilat besoj se do të zhvillohen më 6 tetor. Kjo do të thotë se në rastin më të mirë, në fillim të dhjetorit mund të vazhdojë dialogu, por para kësaj, e rëndësishme është të bisedohet për heqjen e taksës”, ka thënë Vuçiq për mediat serbe.

Presidenti serb tha se “status quoja” është e pamundur, dhe se është e rëndësishme të ruhet paqja, pasi siç tha, “një pushkë nëse shkrepet atëherë askush nuk mund të ndalë bubullimën e topave, dhe kjo askujt nuk i duhet”.

Deklaratat e Vuçiqit bëhen pas takimit në Nju Jork me sekretarin e Shtetit amerikan, Mike Pompeo.

Vuçiq tha se ka kërkuar nga Pompeo që SHBA-ja të shtojë presion ndaj Kosovës për heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, të vendosur në nëntor të vitit të kaluar.

Ndërsa Pompeo, përmes një postimi në Twitter tha se normalizimi i raporteve të Serbisë me Kosovën, do ta forcojë stabilitetin dhe prosperitetin e Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe komunitetit transatlantik.

Share.