Lëvizja Vetëvendosje do të përdorë të gjitha mjetet politike për të kërkuar zgjedhjet e reja në Kosovë. Anëtarja e kryesisë së Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci thotë për KosovaPress, se në mënyrë paqësore dhe demokratike brenda këtij viti do të insistojë të shkojnë tek kutitë e votimit.

E dyta e legjislativit thotë se edhe numri i madh i nënshkrimeve në peticionin e tyre po dëshmon se vullneti i qytetarëve është për një qeveri legjitime.

Nagavci: Po synojmë të kemi një peticion me numër të madh të nënshkrimeve

“Ne synojmë të kemi një peticion me numër të madh të nënshkrimeve të qytetarëve. Besojmë se është lehtë e realizueshme. Janë qytetarët që po na kontaktojnë për çdo ditë të kenë mundësi, nga forma më të ndryshme që të shprehin pakënaqësitë e tyre me këto veprime jo legjitime…Do të vazhdojmë me veprime tjera politike, me të gjitha mjetet politike e demokratike paqësore që ne i kemi në dispozicion”, thotë ajo.

Ajo u shpreh e sigurt se zgjedhjet e reja në Kosovë do të jenë para se të vijë koha e zgjedhjes së presidenti të ri. Proces të cilit i kanë mbetur edhe rreth shtatë muaj, e që mund të dërgojnë vendin në zgjedhje. E të parin e vendit, Hashim Thaçi, Nagavci e cilëson si përçarës dhe mosunifikues.

Nagavci: Presim që të kemi zgjedhje të reja para se të vije koha për zgjedhjen e presidentit

“Ne presim që të kemi zgjedhje të reja para se të vije koha për zgjedhjen e presidentit. Për fat të keq kemi një president, që jo vetëm që erdhi në atë pozitë me metodat që i kemi parë, nën tymin e gazit dhe shënjestrat e snajperistëve. Pra erdhi një president, jo vetëm që i cili e zuri atë pozitë me shantazhe dhe formën më së paku demokratike, por edhe e vazhdojë atë pozitë duke qenë një person që nuk kujdeset për ruajtjen e unitetit”, u shpreh Nagavci.

Anëtarja e kryesisë së Vetëvendosjes thotë se deputetët që votuan qeverinë Hoti janë vënë në shërbim të presidentit Thaçi.

Nagavci: Me vetëdije janë bërë bashkë në realizimin dhe vënien në shërbim të presidentin Thaçi

“Ata me vetëdije janë bërë bashkë në realizimin dhe vënien në shërbim të presidentin Thaçi”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, Nagavci thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka treguar sa të instrumentalizuara janë institucionet në Kosovë.

Nagavci: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese veçse e tregon sa të instrumentalizuara janë institucionet tona

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese veçse e tregon sa të instrumentalizuara janë institucionet tona. Sido që të jetë meqenëse ne tashmë e kemi adresuar kërkesën tonë në Gjykatën Kushtetuese, ndonëse nuk kemi pritur një vendim të tillë, i cili më shumë është politik se sa akt i mirëfilltë juridik”, thotë ajo.

Të mërkurën e kësaj jave në Kuvendin e Kosovës u votua qeveria e koalicionit të LDK-së me kryeministër, Avdullah Hotin./Tv Malisheva

Share.