Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do ta mbështesë formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së COVID-19 nga ana e ish-Qeverisë Kurti.
Shefi i këtij grupi parlamentar Rexhep Selimi tha në seancën e sotme plenare se e kanë përkrahur qysh në fillim dhe do të vazhdojnë t’i ofrojnë bashkëpunim.
Selimi: E kemi përkrahur dhe do të vazhdojmë t’i ofrojmë bashkëpunimin tonë
“Komision të cilin qysh kur është propozuar e kemi përkrahur, madje edhe me vendosmëri po aq sa edhe ka pasur propozuesi. E kemi përkrahur dhe do të vazhdojmë t’i ofrojmë bashkëpunimin tonë dhe njëkohësisht edhe atëherë edhe sot nuk jemi kundër asnjë lloj hetimi qoftë edhe ai parlamentar, u uroj suksese në këtë hetim, ndonëse për rastet e theksuara ka edhe hetim tjetër nga drejtësia”, tha Selimi.
Ai ka falënderuar ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia për të gjithë punën që ka bërë me pandeminë COVID-19.
Ndërkohë ka propozuar që nga VV-ja, Mimoza Kusari-Lila – kryesuese, Labinotë Demi-Murtezi e Fatmire Mulhaxha Kollçaku.
Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar tash ish-ministrin e Shëndetësisë, për keqpërdorim të parasë publike në kohë të pandemisë, duke i bërë thirrje Prokurorinë që t’i hetojë tenderët e dhënë nga MSH.
Sidoqoftë, edhe Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga organet kompetente që të hetojnë tenderët për procedurat e negociuara gjatë kohës së pandemisë.
Ky institucion i udhëhequr nga Arben Vitia, të njëjtën kërkesë e bëri dy herë nga Policia e Kosovës dhe nga Autoriteti i Konkurrencës. /Tv Malisheva